Lajme dhe shpalljet > Tekst

 

 

 

LAJME DHE SHPALLJET

 

 

 

 

 

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit edhe me kulturë

Koha ... 2 Qershor 2015

 

 

Beograd, 2 qershor - Për një muaj, artistë të ndryshëm nga Kosova shpalosin veprat e tyre në Beograd. Filma, ekspozita, debate e performanca të ndryshme jenë në dispozicion për publikun serb gjatë gjithë qershorit.

E mysafirët e kryeqytetit serb do të jenë nikoqirë të kolegëve të tyre nga Serbia gjatë vjeshtës së këtij viti në Prishtinë, kur “Muaji i Prishtinës në Beograd”, që ka nisur të hënën, do të bëhet “Muaji i Beogradit në Prishtinë”. Por, sipas organizatorëve të këtij festivali - Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe Qendrës Liberale Demokrate në Prishtinë - aktivitetet e tejkalojnë atë që quhet shkëmbim kulturor.

Në një konferencë për media në Qendrën Mediale në Beograd pak orë para hapjes zyrtare të “Muajit…”, koordinatorja e projektit të Komitetit të Helsinkit në Beograd, Jelena Xhombiq, ka thënë se organizimi nuk ka vetëm një qëllim.

“Po tentojmë të krijojmë rrjete të reja të grupeve të të rinjve dhe që përmes kulturës dhe artit të përkrahim zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Po tentojmë të promovojmë aktivitete të përbashkëta të artistëve në mënyrë që të thyejmë paragjykimet dhe stereotipat që ekzistojnë midis serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë ajo. Sipas Xhombiq, në këtë mënyrë kontribuohet edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës që është një pjesë shumë e rëndësishme në rrugën e integrimit evropian për të dyja vendet. Ka thënë se jo rastësisht është zgjedhur filmi “Ballkoni” i Lendita Zeqirajt për të hapur ngjarjet njëmujore. Ua ka kujtuar të pranishmëve që bëhet fjalë për një film që deri më tani ka qenë në 120 festivale në mbarë botën, ka fituar 24 çmime të ndryshme.

“Por ende nuk ka qenë në Beograd”, ka thënë ajo, tek ka treguar se filmi në mënyrë satirike shpërfaq shoqërinë kosovare 14 vjet pas luftës. Menjëherë pas kësaj ia ka dhënë fjalën producentit të filmit Bujar Kabashi, por paraprakisht e ka pyetur atë se si e shpjegon faktin që filmi ka udhëtuar në aq shumë vende e nuk ka qenë në Beograd. “Jemi aq afër, por edhe aq larg”, ka komentuar Xhombiq.

Kabashi ka thënë se më në fund filmit i erdhi radha të shfaqet edhe për publikun serb. “Ballkoni” është shfaqur të hënën mbrëma në Qendrën për Dekontaminim Kulturor e pas filmit është zhvilluar edhe debati “Kinematografia në Kosovë dhe Serbi: paralelet dhe mundësitë”, ku panelistë kanë qenë regjisori Ismet Sijarina, dramaturgu Arian Krasniqi, producenti Bujar Kabashi, dhe dy regjisorët serbë, Ognjen Glavoniq dhe Stefan Filipoviq.

“Kemi arritur më në fund në Beograd. ‘Ballkoni’ është një film i shkurtër prej 20 minutash dhe është i xhiruar me një kuadër të vetëm. Filmi tregon shoqërinë tonë të re të pasluftës. Po ashtu tregon se nuk jemi të ndryshëm”, ka thënë Kabashi producent i filmit, derisa regjisorja Zeqiraj nuk ka qenë e pranishme. Kabashi në fjalën e tij të shkurtër ka treguar se ka kohë që edhe vetë nuk e ka vizituar Beogradin.

“Jam pas 20 vjetësh në Beograd dhe më vjen mirë që jam këtu”, ka thënë ai.

Pjesëmarrës në konferencë ka qenë edhe shkrimtari Sasha Iliq, që është goxha i njohur për marrëdhëniet kulturore serbo-shqiptare. Iliq ka thënë se kur shikohet pak me thellë, vërehet që ka kontakte dhe udhëtime midis Beogradit dhe Prishtinës. Ka përmendur dy antologjitë e letërsisë bashkëkohore serbe e kosovare, “Nga Prishtina me dashuri” dhe “Nga Beogradi me dashuri”, një projekt i përbashkët i “KPZ Beton” të Beogradit dhe qendrës “Multimedia” të Prishtinës i realizuar më 2011.

“Këta janë titujt ironikë, por e ngërthejnë një vizion më vete. Dizajni është interesant, sepse duket sikur titujt janë të censuruar me një vijë të kuqe”, ka thënë Iliq, që në eksperiencën e tij jo rrallëherë ka qenë i intervistuar nga policia serbe për gjoja veprime antishtetërore. Ka treguar se pjesë e bashkëpunimit është edhe festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip”, që në majin e këtij viti ka shënuar edicionin e pestë në kryeqytetin kosovar.

“Fatkeqësisht këtë festival nuk e kemi pasur ende në Beograd. Shkrimtarët që marrin pjesë në këtë festival nuk i shihni në televizor dhe nuk i shihni në prezantimet kombëtare të letërsisë. Ne i kemi nisur këto para Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë ai. Nga krejt aktivitetet e deritanishme ai ka thënë se ka ardhur në përfundim se vullneti i mirë mund të sjellë deri tek vendosja e një kanali të komunikimit që është shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe serbët.

“Do të thosha se para antologjive proza dhe poezia e njërit popull në gjuhën tjetër janë publikuar më 1972 dhe 1977, kur kemi lindur unë dhe Jeton Neziraj, që udhëheq qendrën ‘Multimedia’”, ka thënë ai.

Granit Gashi, koordinator i Qendrës Liberal Demokrate në Prishtinë, ka thënë se ende nuk ka tregues se si do të pritet në Prishtinë performanca e artistëve të Beogradit.

“Por nga publikimet që ne kemi pasur në media, kemi parë se nuk janë keq të pranueshme. Pastaj kemi menduar ta vazhdojmë projektin”, ka thënë Gashi. Sipas tij, publiku kosovar është shumë pak i njoftuar me rrjedhat kulturore të Beogradit. I ka nënvizuar marrëdhëniet ekonomike.

“Pos marrëdhënieve ekonomike që janë shumë të forta midis vendeve tona dhe atyre politike, publiku tek ne është shumë pak i informuar për gjërat e tjera që ndodhin në Beograd apo në pjesët e tjera të Serbisë. Nga mediat tek ne përçohen lajmet e këqija si ndonjë kërcenim që i vjen Kosovës nga Serbia”, ka thënë Gashi.

Gjatë mbajtjes së konferencës disa policë serbë kanë qëndruar pranë objektit për t’u kujdesur për sigurinë. Por s’kanë pasur fort punë. Mediat serbe kanë shtruar pyetje se derisa po flitet për pajtim dhe policia rri te dyert e objektit, edhe sa kohë do të kalojë që shqiptarët të jenë në Beograd pa pasur arsye t’i ruajë kush.

Jelena Xhombiq ka thënë se prania e policisë nuk është tregues se ka pasiguri. Ka treguar se si organizatorë vetëm e kanë njoftuar policinë se do të zhvillohen aktivitete publike.

“Besojmë që nuk ka nevojë për ndërhyrje të policisë. Vitin e ardhshëm do ta bëjmë pa polici, sepse nuk ka nevojë. Ne kemi organizuar edhe seminare dhe policinë nuk e kemi pasur në ato ngjarje”, ka thënë ajo. Në këtë rast ka komentuar edhe Sasha Iliq. Ka treguar se është mysafir i shpeshtë në Prishtinë dhe asnjëherë nuk ka parë asnjë polic para qendrës “Multimedia” e as në qytet.

“Kurrë nuk kemi pasur incidente. Ka pasur autorë nga Serbia që janë frikësuar pasi nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë, mirëpo pas atyre tri ditëve të festivalit kanë pasur kontakte më të mira”, ka thënë Iliq. Por, sipas tij, në Beograd ndryshon paksa situata.

“Në Beograd nuk u intereson mediave çfarë bëhet e as kritikëve letrarë. Njerëzit na shikojnë se çfarë po bëjmë dhe kjo duhet të ndryshohet. Nuk duhet të kemi kordonë të policisë, sepse nuk ka nevojë. E kemi edhe Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Iliq. Pos “Ballkonit”, gjatë festivalit publiku në Beograd do të ketë mundësinë të shohë edhe filmin “Të mjerët”, me regji të Genc Berishës, i cili do të shfaqet në sallën e madhe të Shtëpisë së Rinisë më 19 qershor. Do të tregohen aspekte të ndryshme të kulturës kosovare. Do të ketë dy ekspozita dhe performanca. “Muaji i Prishtinës në Beograd” do të përmbyllet me koncertin e Shpat Dedës.

Ngjarjet kulturore të Kosovës në Serbi janë shpeshtuar goxha kohëve të fundit. Duke filluar nga e enjtja e kësaj jave, për pesë ditë, Beogradi do të jetë nikoqir edhe i një grupi tjetër artistësh e shkrimtarësh me edicionin e dytë të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”

Por, sipas gazetarëve që përcjellin ngjarjet kulturore në Beograd, ardhja e artistëve kosovarë nuk është se shikohet si ngjarje e veçantë nga publiku serb.

Gazetarja e kulturës në “Radio-Beogradi 1” ka thënë se pavarësisht se çfarë shfaqet, publiku është i njëjtë në aspektin e numrave.

“Beogradi ka një publik që e përcjell kulturën. Atyre nuk u intereson kush e ka bërë, ta zëmë, një shfaqje, por ata vijnë ta shohin pa marrë parasysh nacionalitetin e autorëve”, ka thënë Velkoviq.

 

 

 

 

 

 

 

Në vitin 2015, program është financuar nga Bashkimi Europian në bazë të Pëkrahjes për Shoqërinë Civile 2013.
Në vitin 2016, programi financohet nga Robert Bosch Stiftung GmbH.
Përmbajtjet e të gjitha thirrjeve/njoftimeve për shtyp/video materialeve janë përgjegjësi e vetme
e autorit/organizatës dhe në asnjë mënyreë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Europian ose
të Robert Bosch Stiftung GmbH.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright * Helsinki Committee for Human Rights in Serbia - 2015

Web Design * ParadoXFactory