Lajme dhe shpalljet > Tekst

 

 

 

LAJME DHE SHPALLJET

 

 

 

 

 

Kinematografia serbe e ajo kosovare takohen te paragjykimet e nacionalizmi

Koha ... 3 Qershor 2015

 

 

Beograd, 3 qershor – Pika e përbashkët e kinematografisë kosovare dhe asaj serbe janë vështirësitë. Buxheti i vogël shtetëror për filmin, pamundësia e gjetjes së fondeve alternative, paragjykimi dhe krijimi i stereotipeve midis dy popujve, janë disa nga problemet që vërtiten në fushën filmike të dy vendeve.

Por disa kineastë serbë, kanë bindjen se arti i shtatë në Serbi është më keq se sa në Kosovë. Shteti serb ende dikton temat. Pos kësaj, bartësve të një projekti filmik që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Serbisë u ndalohet të bashkëpunojnë me Kosovën.

Këto konstatime janë nxjerrë menjëherë pas shfaqjes së filmit kosovar “Ballkoni” si ngjarja e parë që ka hapur “Muajin e Prishtinës në Beograd” mbrëmjen e së hënës. Pas filmit të regjisores Lendita Zeqiraj në kuadër të organizimit njëmujor nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe Qendrës Liberale Demokrate në Prishtinë, kineastët serbë dhe ata kosovarë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, kanë diskutuar mbi temën “Kinematografia në Kosovë dhe Serbi: paralelet dhe mundësitë”.

Regjisori Ismet Sijarina, producenti Bujar Kabashi e dramaturgu Arian Krasniqi, u kanë thënë të pranishmëve se kinematografia kosovare është relativisht e re. Sijarina e Krasniqi kanë thënë se hapat e parë në këtë fushë janë bërë gjatë viteve ’70 e janë ndërprerë në vitet 90 sherri i rrethanave politike.

Shqetësues ka qenë fakti se si shteti serb u bën censurë projekteve gjatë subvencionimit. Shteti serb mesatarisht financon pesë filma të gjatë në vit përderisa Kosova mezi arrin të prodhojë një film.

Regjisori Stefan Filipoviq, i cili e ka moderuar debatin, ka thënë se nëse një projekt mbështetet nga shteti, atëherë e ka të ndaluar që të hyjë në bashkëprodhim me Qendrën Kinematografike të Kosovës. Ka thënë se këto janë pasqyrë e asaj që është trashëguar ndër vite.

“Për kombin serb, shqiptarët kanë qenë armiq të mëdhenj. Mendoj që duhet të thyhet një mur i madh midis nesh. Me të gjitha fondet shtetërore subvencionohen filma kombëtarë. Tek ne askujt nuk i bëhet vonë për film”, ka thënë Filipoviq. Sipas tij në Serbi ekziston parimi i kushërinjve për të ardhur tek fondet. Ka treguar se projektet filmike që kanë shtetin prapa kanë diskurs nacionalist.

“Nëse merr para nga shteti nuk mund të bësh film që trajton politikën, ashtu siç nuk u pëlqen politikanëve”, ka thënë ai.

Por sa i përket censurës shtetërore, sipas dramaturgut Arian Krasniqi, gjendja në Kosovë është krejt tjetër. Ka thënë se në Kosovë nuk ka censurë në kuptimin e asaj se çfarë trajton filmi.

“Nuk është një sistem ku çdo skenë lexohet nga politikanët. Janë kinematografët ata që vlerësojnë. Është tjetër gjë mënyra se si mund të vihet deri tek subvencionet”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij 99 për qind e filmave bëhen me mbështetje të institucioneve shtetërore dhe ende nuk është arritur pavarësimi i kinematografisë.

“Nëse kemi një film që kushton 1 milion euro atëherë duhet ta kufizojmë veten dhe bëjmë autocensurë, sepse i gjithë buxheti i QKK-së është 700 mijë euro. Vitin e kaluar janë subvencionuar projekte filmike që merren me të drejtat e komunitetit LGBT. Pra janë para të shtetit që janë dhënë për këtë projekt. Nuk bëhet fjalë për tema që ndalohen”, ka thënë Krasniqi.

Regjisori Sijarina ka thënë se të dy popujt kanë paragjykime për njëri-tjetrin. Ka treguar se i ka pyetur studentët se si do të mund të dukej një serb në filmat e tyre.

“Ata kanë thënë se duhet të jetë me flokë të gjatë. Një ushtar që pi shumë dhe vret njerëz. Njeri pa ndjenja. Po flasim për mendimet e 18 dhe 19-vjeçarëve”, ka thënë Sijarina. Sipas tij këto mendime janë krijuar si pasojë e asaj që është importuar në kokat e njerëzve nga gjeneratat më të vjetra dhe filmat e pasluftës në Kosovë. Ka thënë se paragjykimet janë problem i artistëve ballkanas. “Nuk mendoj që duhet të bëjmë filma që njerëzit i nxjerrin bardhezi. Njëjtë është edhe tek serbët. Para disa ditësh pashë një film serb. Shqiptari ishte një djalosh me plis të bardhë dhe shet drogë”, ka thënë ai. Por ka thënë se realisht sot në Prishtinë nuk ke djalë të ri me plis të bardhë.

“Kjo është mënyra se si serbët i shohin shqiptarët. Nëse do ta bëja një test me studentët këtu në Serbi, kësisoj do të përshkruheshin shqiptarët, si kriminelë. E ata janë njerëz që nuk kanë pasur mundësi as të kontaktojnë me shqiptarët”, ka thënë ai. Sijarina ka ndarë edhe një përvojë të tijën personale sa i përket Beogradit. Ka treguar se kur është nisur për në Serbi e ëma e tij ia kishte kujtuar se ai ka dy fëmijë.

“Më tha: a nuk gjete vend tjetër pos Beogradit, a?’”, ka thënë Sijarina. Por sipas tij njerëzit e guximshëm janë ata që i thyejnë këto stereotipe.

“Kjo duhet të ndodhë edhe në kinematografi”, ka thënë ai e kjo ka bërë që të duartrokitet nga audienca në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd.

Regjisori Ognjen Glavoviq ka thënë se ka katër vjet që është duke realizuar një film dokumentar për një pjesë të krimeve serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Kam marrë fonde nga shtetet evropiane, por jo edhe nga Serbia”, ka thënë ai.

Por dalëngadalë sipas kineastëve kosovarë gjendja është duke u përmirësuar.

Sijarina ka thënë se gradualisht po e krijohet një gjeneratë e re e kinematografëve të cilët lëvizin dhe po arrijnë t’i thyejnë barrierat.

“Mos harroni që të jesh qytetar i Kosovës është shumë më vështirë se sa të jesh qytetar i Serbisë.

Ne nuk është se jemi shumë të lirë që të lëvizim. Që të shkojmë në një festival na duhen dy muaj përgatitje”, ka thënë ai.

E Krasniqi ka thënë se kineastët e rinj po bëjnë përpjekje që të mos trajtojnë shumë tema të luftës.

“Kemi sasi të vogël të prodhimit. Gjendja nuk është krejt e zezë. Ekziston një brez i ri i kineastëve që mundohen të bëjnë filma të mirë e në forma të reja”, ka thënë ai.

Filmi “Ballkoni” që ka udhëtuar në mbi 120 festivale dhe ka fituar 24 çmime është pritur mirë nga publiku që nuk ka qenë edhe shumë i madh në numër. Filmi shpalos një realitet kosovar, ku krejt kalimtarët ofrohen pranë një ndërtese, ku një djalosh qëndron në ballkon dhe duket se e ka jetën në rrezik. Ideja ishte që filmi të paraqesë realitetin kosovar të pasluftës.

Dramaturgia Borka Paviçeviq ka thënë se sikur ajo ta realizonte filmin asnjëherë nuk do ta xhironte djaloshin në ballkon, por gjithë kohën do të fokusohej vetëm tek njerëzit poshtë që diskutonin për të riun.

“Nuk pashë diçka specifike në atë film. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për mentalitet të Kosovës, por ai mentalitet i kalon edhe kufijtë ballkanikë. Do të mund të xhirohej edhe në Itali, sepse ashtu reagojnë njerëzit edhe atje”, ka thënë Paviçeviq, për filmin i cili ka marrë çmimin edhe nga Instituti Amerikan i Filmit. Sipas saj edhe në një vend tjetër ballkanik do të shfaqej nëna që do të reagonte njëjtë sikur në Kosovë.

“Nuk pashë diçka të veçantë. Ato skena i ke në shoqëritë tona. Gjithmonë është dikush që sillet kot në rrugë”, ka thënë ajo.

E historiani Miroslav Kariq ka thënë se bëhet fjalë për një film tejet të mirë.

“Për 20 minuta del në pah realiteti i një shoqërie. Por ky mentalitet është universal në regjionin e Ballkanit”, ka thënë ai. Menjëherë pas shfaqjes së filmit regjisori Sijarina u ka thënë të pranishmëve se ky film prezanton shumë nga shoqëria kosovare. Ka thënë se bëhet fjalë për një shoqëri ku njerëzit jetojnë sot për nesër.

“Kosova është vend i vogël dhe mendoj që secili element është i përshkruar në mënyrë origjinale. Kjo është vlera jonë dhe nuk mund ta tjetërsojmë”, ka thënë ai. Filma, ekspozita, debate e performanca të ndryshme që janë produkte të Kosovës do të jenë në dispozicion për publikun serb gjatë gjithë qershorit. E gjatë vjeshtës së këtij viti në Prishtinë do të mbahet “Muaji i Beogradit në Prishtinë”, ku krijuesit serbë do të shpërfaqin veprat e tyre për publikun kosovar. Por, sipas organizatorëve të këtij festivali aktivitetet e tejkalojnë atë që quhet shkëmbim kulturor dhe synohet që të thyhen barrierat e paragjykimet midis dy popujve.

 

 

 

 

 

 

 

Në vitin 2015, program është financuar nga Bashkimi Europian në bazë të Pëkrahjes për Shoqërinë Civile 2013.
Në vitin 2016, programi financohet nga Robert Bosch Stiftung GmbH.
Përmbajtjet e të gjitha thirrjeve/njoftimeve për shtyp/video materialeve janë përgjegjësi e vetme
e autorit/organizatës dhe në asnjë mënyreë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Europian ose
të Robert Bosch Stiftung GmbH.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright * Helsinki Committee for Human Rights in Serbia - 2015

Web Design * ParadoXFactory